Filo: Në 4 vitet e ardhshme, investime dhe mundësi për zhvillimin e ekonomisë lokale

TIRANË, 28 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, i cili kandidon për një mandat të dytë në 30 qershor, vijoi sot takimet me banorët ku foli për projektet e 4 viteve të ardhshme.

Në një takim me banorë të lagjes 17 në Korçë, Filo veçoi projektin madhor të ndërtimit të Markatës së Shijes, rikonstruksionin e shkollave, terreneve sportive, rrugëve e lulishteve, që sollën një ndryshim rrënjësor për banorët.

“Diskutuam së bashku për investimet e tjera për 4 vitet në vazhdim dhe mundësitë e shtuara për zhvillimin e ekonomisë lokale”, tha Filo.

Gjithashtu Filo zhvilloi një takim me banorët e Shamollit, Barçit dhe Kuçit të Zi për të diskutuar rreth investimeve të nisura për ndërtimin e ujësjellësit të ri, rrugëve, përmirësimin e ndriçimit, lulishteve te reja dhe shumë projekteve të tjera në të ardhmen për të rritur cilësinë e jetesës për çdo familje në fshat./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.