Artanja Myqelefi fiton festivalin e këngës për fëmijë në Elbasan

TIRANË, 28 qershor/ATSH- Miranda Sadiku/- Për të 33 – tin vit me radhë nën kujdesin e veçantë të bashkisë së Elbasanit, organizohet festivali i fëmijëve.
Edhe këtë vit, salla e Teatrit “ Skampa” ka pritur me qindra fëmijë të cilët kanë dëgjuar përreth 90 minuta këngët e artistëve të vegjël elbasanas në skenën e madhe dhe të bukur të këtij teatri. Në fund edhe pse ishte pak e vështirë, juria vendosi që të vlerësojë me çmim të parë këngën “Edhe frutat do ti dua” të kompozitorit  Armando Broshka, kënduar me mjaft talent nga vogëlushja  Artanja Myqelefi.
I kthyer tashmë në traditë, Festivali i 33 – të për fëmijë, organizohet nga bashkia Elbasan dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve I cili ka si qëllim evidentimin e talenteve të reja që në moshë të vogël.
Kjo traditë promovon talentet e reja  të cilat  përfaqësohen në skena më të mëdha kombëtare. Festivali i 33- për fëmijë mbështetet tek krijimtaria e kompozitorëve elbasanas dhe jo vetëm, ndërkohë që këtë vit në finalen e madhe të festivalit u interpretuan 12 këngë.
Drejtori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Elbasan, Martin Kushin tha se “ kjo ishte një natë emocionuese e cila nxori në pah vlerat artistike tek fëmijët në këtë edicion të 33-të të Festivalit të Këngës për Fëmijë”.
Çmimet e dyta shkuan për Kamela Bajrami me këngën “Ngrita zërin” dhe Sergita Varfi me këngën “Bota ime”, ndërsa çmimi i tretë për Laura Borici dhe Noel Hoxhollin./k.s/ /a.g/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.