Ambasadat gjermane dhe austriake: Në 30 qershor zgjedhje lokale, kujdes nga trazirat

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ – Ambasada e Gjermanisë në Tiranë  ka njoftuar shtetasit gjermanë në Shqipëri në lidhje me zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Në të gjitha bashkitë e Shqipërisë mund të ketë protesta dhe protesta të dhunshme para, gjatë dhe pas zgjedhjeve vendore më 30 qershor 2019”, thekson Ambasada e Gjermanisë në njoftimin e saj.

“Përdorimi i gazit lotsjellës nuk mund të përjashtohet. Udhëtarëve u rekomandon fuqimisht të ndjekin mediet lokale, të shmangin demonstratat dhe grumbullimet e mëdha të njerëzve, sidomos pranë qendrave zgjedhore dhe gjithmonë të ndjekin udhëzimet nga forcat e sigurisë”, shprehet Ambasada e Gjermanisë.

Edhe Ambasada e Austrisë në Tiranë ka njoftuar shtetasit austriakë për të bërë kujdes në 30 qershor.

“Për zgjedhjet bashkiake në Shqipëri të dielën, më 30 qershor 2019, Ambasada austriake në Tiranë u rekomandon qytetarëve austriakë të qëndrojnë larg zgjedhjeve dhe njerëzve në të gjithë vendin. Mund të ketë trazira”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Austrisë në Tiranë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.