Zgjedhjet në 30 qershor, Ambasada britanike këshillon qytetarët e saj

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Ambasada britanike ka përditësuar këshillat për qytetarët e vet që dëshirojnë të udhëtojnë në Shqipëri, duke iu sugjeruar të qëndrojnë larg demonstratave që mund të ndodhin gjatë ditës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ose pas tyre.

“Nëse jeni apo planifikoni të udhëtoni në Shqipëri, kontrolloni këshillat tona më të fundit”, apeloi ambasada qytetarët e vet.

Ambasada ka përditësuar pjesën e të dhënave sa i takon sigurisë.

“Protesta në shkallë të gjerë dhe akte të mosbindjes civile janë të mundshme  gjatë dhe pas zgjedhjeve lokale të së dielës së 30 qershorit. Kontrolloni medien lokale për informacionet e fundit, qëndroni vigjilentë dhe shmangni demonstratat”, thuhet në këtë përditësim.

Sipas ambasadës britanike, mbi 12 mijë qytetarë britanikë vizitojnë Shqipërinë çdo vit dhe pjesa më e madhe e këtyre vizitave kalojnë pa asnjë problem. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.