Meta pas takimit me Bashën: Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë

TIRANE, 27 qershor/ATSH/- Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në takim kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili pranoi ftesën për t’u takuar në presidencë.

Në Presidencë, Basha mbërriti rreth orës 09:00, takim i cili u zhvillua me dyer të mbyllura.

Në përfundim të takimit, Meta ka bërë të ditur se me kreun e PD-së diskutuan mbi krizën aktuale që po kalon vendi.

“Sot prita në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, z.Lulzim Basha për të diskutuar mbi krizën aktuale që po kalon vendi. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë”, u shpreh Meta.

Pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, Meta ka pritur në takim edhe Nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili.

Meta ka ripërsëritur mesazhin se kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë.

“Në vijim të konsultimeve me partitë politike për zgjidhjen e krizës aktuale në vend, prita sot në takim Nënkryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, z.Petrit Vasili. Kërkohet përgjegjshmëri dhe sjellje europiane nga të gjithë”, është shprehur Meta pas takimit.

Një ditë më parë, presidenti ftoi për dialog kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha në Presidencë.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.