“Fuqizimi i Regjistrave të Biznesit”/ Harmonizim me eksperiencën e BE-së

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Në kuadër të Projektit BRE – Business Register Empowerment, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në cilësinë e Lead Partner, organizoi sot më datë 27 qershor 2019 në Tiranë, tryezën e diskutimit me temë “Fuqizimi i Regjistrave të Biznesit”.

Takimi u zhvillua me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme shqiptare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në katër sektorë ekonomikë prioritarë: turizëm, teknologjia e informacionit dhe e komunikimit, agroushqimor dhe fashion.

Pjesëmarrësit u njohën me rëndësinë e nismës për krijimin e platformës ndërkufitare ndërmjet sipërmarrjeve dhe shkrirjen e regjistrave të biznesit ndërmjet Dhomës së Tregtisë Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë së Barit (Itali), Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe Dhomës Ekonomike të Malit të Zi.
Në këtë tryezë u prezantua struktura në ndërtim e sipër e kësaj platforme e cila u shtrua për diskutimit duke mirëpritur vlerësimet, sugjerimet dhe vërejtjet e pjesëmarrësve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqatave të kategorive të ndryshme të biznesit pjesëmarrës në takim.
Projekti mbështetet nga Programi Interreg IPA CBC Itali-Shqipëri-Mali i Zi dhe financohet nga fondi IPA II, me partnerë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Dhomë e Tregtisë, Industrisë, Artizanatit dhe Bujqësisë së Bari-t (Itali), Dhomën Ekonomike të Malit të Zi, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë (Shqipëri) dhe Technopolis Mal i Zi. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.