ZYRIH, 26 qershor /ATSH-AFP/ – Disa policë të rremë ia dolën t’i zhvasin 3,6 milionë franga zvicerane (3,25 milionë euro) një banoreje nga Zyrihu, pasi i mbushën mendjen se një grup keqbërësish donin t’i vidhnin kursimet në bashkëpunim me disa punonjës banke.
Sipas policisë së kantonit të Zyrihut (veri), cituar nga agjencia e lajmeve ATS, mashtruesit e kishin planifikuar operacionin e grabitjes për disa muaj.
Takimi i parë u bë në nëntor. Një grua, e cila prezantohet si një police i sqaron viktimës se policia po hetonte për një rrjet hajdutësh që kishin vënë nën shënjestër bankën e saj, në bashkëpunim me disa punonjës të institucionit dhe se llogaria e saj bankare rrezikohej të boshatisej.
Për muaj me radhë, gruaja çdo ditë merrte një telefonatë nga mashtruesit, të cilët i kërkonin të ruante në mënyrë sekrete informacionin për të mos komprometuar hetimin dhe për të mbrojtur kursimet, ata i kërkonin të bënte derdhje të rregullta në mënyrë elektronike.
Policia, e cila nisi hetimin, njoftoi se viktimës i ishte vjedhur përgjatë disa muajve një vlerë e përgjithshme prej 3,6 milionë frangash./ /v.b/ a.jor.