Rimëkëmbja e rrjetit të ujësjellësit në Tropojë, furnizim pa ndërprerje me ujë për mbi 3 mijë banorë

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Mbi 3 mijë banorë të bashkisë së Tropojës do të përfitojnë furnizim me ujë 24 orë në sajë të programit që po zbaton qeveria shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i punës për rimëkëmbjen e rrjetit të ujësjellësit në Tropojë.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieri i punës për rimëkëmbjen e rrjetit të ujësjellësit që siguron pas dekadash të tëra 24 orë ujë në ditë për banorët e Tropojës, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.

Programi që po zbaton qeveria për furnizimin me ujë të pijshëm të zonave rurale, i jep zgjidhje pas kaq shumë vitesh, njëherë e mirë furnizimit me ujë të pijshëm sipas standardeve më të mira për të gjithë banorët e bashkisë Tropojë.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit, zbatues i Programit “Furnizimi me Ujë të pijshëm i Zonave Rurale” III, në bashkinë e Tropojës po punon për skemën e furnizimit me ujë për 3156 banorët e fshatrave Astë, Kuçanë, Myhejan, Kasaj, Viçidol, Mejdan, Kojel, Shumicë, Babinë dhe Begaj.

Deri tani janë realizuar 16% të punimeve, ndërsa investimi në total është mbi 2.5 milionë euro. Ky investim përfundon në shkurt të 2020 dhe parashikon: Ndërtimin e linjës kryesore 14 km; Ndërtimin e linjës së shpërndarjes 54 km, të 6 rezervuarëve të rinj; Instalimin e 110 kasetave për 540 matës uji, instalimin e kutive për matësve kolektivë me kapacitet deri në 332 matësa.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.