Në 2020, 18 orë ujë të pijshëm për 116 mijë banorët e Elbasanit

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ 116 mijë banorë të Elbasanit do të furnizohen 18 orë në ditë me ujë të pijshëm në vitin 2020, në sajë të investimit më të fundit të qeverisë.

Elbasani, qyteti i dytë me popullatën më të madhe në vend është përballur në 30 vite me zhvillim të vrullshëm urbanistik.

Në Këshillin Teknik të AKUM u miratua sot projekti për investime në rrjetin e ujësjellësit që do të garantojë 24 orë ujë të pijshëm e me cilësi për Krastën e Vogël, Hermas e zona të reja informale në periferi.

Po ashtu, ky investim do të sjellë rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë për 18 orë në ditë për qytetin e Elbasanit.

Elbasani sot furnizohet 10-12 orë ujë në ditë, por në familje në zona informale dhe lagje periferike ka mungesë totale furnizimi me ujë të pijshëm ose 4-5 orë /ditë.

Sipas drejtorit të AKUM, Alqi Bllako në këtë situatë ka ndikuar rrjeti i amortizuar e i degraduar prej lidhjeve të paligjshme dhe situata me 30% lidhje abonentësh pa matësa.

“Ky investim do të vijojë me investimet të tjera të AKUM me mbështetje të KfW për të garantuar brenda vitit 2022, 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi. AKUM synon transformim rrënjësor në sektorin jetik të ujit, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe nxitur rritjen ekonomike drejt zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.