Basha: Ua kam thënë edhe ndërkombëtarëve, votimi farsë thellon krizën

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha mbrëmjen e sotme në një dalje nga selia e kësaj partie se qëndrimi i opozitës për 30 qershorin mbetet i prerë, se këto nuk janë zgjedhje dhe nuk ekzistojnë as ligjërisht, as praktikisht.

“Këtë qëndrim ia kam bërë të qartë ditët e fundit të gjithë komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht partnerëve që po përpiqen të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës politike. U kam shprehur të vërtetën se votimi farsë antikushtetues, antiligjor dhe i kriminalizuar do ta thellojë krizën dhe do ta fusë Shqipërinë në një fazë me kosto të lartë për vendin”, – tha Basha.

Basha po ashtu përshëndeti tërheqjen, sipas tij, të Këshillit të Europës nga monitorimi i 30 Qershorit.

“Arsyet janë ato që kemi thënë: Nuk ka konkurrencë pa pjesëmarrjen e opozitës. Janë zgjedhje pa kuptim politik”, – tha Basha.

“Të dielën në Shqipëri nuk do të ketë zgjedhje. Do të ketë një farsë. Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo aventurë të ndalet, që farsa të mos ekzekutohet”, – tha Basha. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.