Pacolli: Vetëm në mënyrë të barabartë dhe sovrane, normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë

PRISHTINË, 25 qershor /ATSH/ – Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ine Eriksen Søreide.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli duke e falenderuar shtetin e Norvegjisë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë për shtetndërtimin e Kosovës tha se ky shtet luan rol të rëndësishëm në integrimin euroatlantik të Kosovës.

Pacolli foli edhe për liberalizimin e vizave, ku tha se Kosova i ka përmbushur 95% të kritereve të kërkuara, por kjo çështje ka ngecur dhe ka kaluar nga aspekti teknik në atë politik.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës tha se me homologen e tij norvegjeze diskutuan edhe për dialogun me Serbinë, për çka kërkoi mbështetjen e këtij shteti.

“Kemi biseduar për dialogun me Serbinë, ky dialog nuk ka alternativë dhe vetëm në mënyrë të barabartë dhe sovrane ne mund t’i normalizojmë marrëdhëniet mes nesh. Nuk do ndalemi asnjëherë deri tek synimi për paqe, lëvizje të lirë të njerëzve dhe mallrave”, tha ai.

Kurse diplomatja  norvegjeze teksa ka ofruar mbështetjen për integrimin euroatlanik të Kosovës tha se kjo kërkon kohë dhe bashkëpunim dhe koordinimin më të madh në mes partive në Kosovë.

Sipas saj, gjatë takimit diskutuan për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë për ç’ka tha se mirëpresin fuqizimin dhe bashkëpunimin rajonal./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.