Meta ngjason më shumë si kryetar i një partie opozitare sesa si President

TIRANË, 25 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Ajo që e kompromenton Presidentin e Republikës është pikërisht retorika që përdor. Retorika e tij është krejtësisht politike dhe ai ngjason më shumë si kryetar i një partie opozitare sesa si President që i referohet Kushtetutës së vendit”, – deklaroi sot deputeti socialist, Besnik Bare.

I ftuar në një studio televizive, Bare foli për qëndrimin e Presidentit në situatën aktuale politike dhe nismën e mazhorancës për ta shkarkuar atë.

“Një President duhet t’i referohet ligjeve, Kushtetutës dhe neneve përkatëse. Ilir Meta në asnjë moment. në asnjë element të gjithë retorikës që ka përdorur nuk i është referuar Kushtetutës”, – tha Bare.

Ndërkohë Bare tha se akuzat e mazhorancës ndaj Presidentit janë të mbështetura në Kushtetutë. “Kushtetuta nuk e parashikon në asnjë nen të drejtën e Presidentit për të zhdekretuar datën e zgjedhjeve, pasi e dekreton atë”, – tha Bare.

Për shkarkimin e Presidentit, sipas Bares, “procedura është e tillë që mblidhet komisioni i Ligjeve, fton Presidentin të paraqesë argumentet e veta dhe në finale është Gjykata Kushtetuese që vendos për shkarkimin”.

I pyetur nëse mund të ketë një përplasje në 30 qershor, Bare tha se “përplasja inspirohet nga 3-4 veta dhe kur këta njerëz nuk kanë dashur përplasje në mitingjet e PD-së nuk ndodh përplasja”. “Nëse në 30 qershor do të ketë përplasje përgjegjës do të jenë këta 3-4 veta”, – tha Bare.

Sipas tij, “PD nuk ofron një platformë politike dhe ekonomike, por vetëm alternativën si të shpëtojmë karrierën politike të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.