Asnjë grua apo vajzë në bashkitë e djathta nuk do lëvizë nga puna, burrat si ta kenë nëse duan t’i bien murit me kokë

TIRANË, 25 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha pasditen e sotme nga Tropoja në takimin elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit se pas zgjedhjeve, asnjë grua apo vajzë në bashkitë që janë drejtuar deri tani nga të djathtët, nuk do lëvizë nga puna.

“Pas zgjedhjeve, dhe ju siguroj se nuk do ndodhë asgjë, veç fenomeneve sporadike se budallenj që bëjnë burg për Lulin e fallxhoren edhe mund të ketë, ashtu si këtu, në të gjithë bashkitë e djathta, asnjë grua apo vajzë nuk do të lëvizë nga puna, burrat si ta kenë”, – tha Rama.

“Teoritë e disa kryetarëve të bashkive që dilni në shesh se do ju heqin nga puna, janë të kota. Ata kanë biletë pa kthim, më 30 qershor vendos populli dhe pushohen nga puna pa kthim. Asnjë grua punonjëse bashkie në bashkitë e djathta nuk ka për t’u prekur nga kryetarët e bashkive, burrat si ta kenë, nëse duan të shkojnë të përplasen me kokë pas murit e të përfundojnë pas burgjeve është e drejta e tyre, nuk do falen. Kush është atje se e meriton nuk do preket, ata që janë drejtorë e nuk dinë shkrim e këndim duhet të vazhdojnë revolucionin, se nuk ka rrugë tjetër”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.