Vlorë, linjë e re ujësjellësi në lagjen “24 Maji”

TIRANË, 23 qershor/ATSH/- Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka nisur punën për shtrimin e një linje të re të rrjetit të ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, të qytetit bregdetar.

Sipas Ujësjellës Kanalizime Vlorë, konkretisht rrjeti i ujësjellësit po vendoset në zonën te ish-dyqanet e reja.

“Qëllimi i rrjetit të ri është eliminimi i të gjitha linjave terciale të shpërndarjes. Me këtë linjë të re, do të lidhen të gjitha linjat e pallateve, por edhe shtëpitë private në këtë zonë”, shprehet UK, Vlorë.

Ky investim realizohet për një furnizim më të mirë me ujë, sasior dhe cilësor të banorëve në këtë territor, si dhe eliminohen humbjet në rrjet.

Linja e re do të jetë me standarde të larta, duke shkuar deri tek matësit e ujit, në çdo familje. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.