Në kohën e opozitës, kriminelët liroheshin nga burgu me leje lindje

TIRANË, 23 qershor/ATSH/-Në kohën kur opozita aktuale ishte në pushtet, kriminelët shoqëronin deputetët dhe liroheshin nga burgu në kohë fushate me leje lindje.

Ishte kjo deklarata e bërë nga kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë takimit me banorët e Përmetit ndërsa nënvizoi situatën e dy viteve më parë, kur opozita kërkoi bllokimin e zgjedhjeve.

“Bëmë marrëveshjen. I mori Zhulieta të gjitha, të tëra që kërkoi. Gjysma e qeverisë, ministrinë e Brendshme, ministrinë e Financave, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, drejtori. Dua drejtorinë e Burgjeve se burgjet i kanë merak. I kanë merak, i duan burgjet. Prandaj edhe burgun e kanë problem të madhe sepse këta flasin për kriminelë, për krime zgjedhore, por populli i di këto prandaj nuk i ha ato muhabetet e kazanit nëpër përgjime sepse i ka parë këta. Kur ishin këta në pushtet, kriminelët shoqëronin deputetët, kriminelët liroheshin nga burgu deri me leje lindje. Kanë dhenë leje lindje për vrasësit, ky do të lindi, deri në datën e zgjedhjeve duhet të dali se ka dhimbje. Janë të vërteta, janë reale. Leje lindje për kriminelë që kishin vrarë dhe shkonin në spital, por shkonin dhe ua nxinin jetën njerëzve nëpër fshatra. Morën edhe drejtorinë e Burgjeve, edhe ALUIZNI-in edhe OSHE-në, i morën të gjitha”, -tha Rama.

Kryeministri theksoi se e vetmja gjë që e tremb opozitën është frika nga drejtësia, ndaj sipas tij, ky është justifikimi i vetëm i situatës aktuale politike.

Dhe në fund më thotë Zhulieta: po ti Romeo çfarë kërkon nga kjo. I thashë: kthehu në parlament voto vettingun se edhe atëherë po njësoj, nga drejtësia dolën rrugëve. Lëre se çfarë thonë, jo demokracia jo vota, hiç fare. Nuk donin të votonin vettingun. Ikën dhe bënë atë çadrën pishte zyrës time. Dy gjera dua: kush fiton rri në qeveri dhe kush humbet rri në opozitë, ska më jo I njoh jo nuk I njoh zgjedhjet. E dyta, nuk shahet më Shqipëria në gjuhë të huaj. Çfarë kemi me njëri-tjetrin i themi në shqip, s’ka problem por kur flasim në gjuhë të huaj nëpër Europë, flasim më një zë për Shqipërinë”, -përfundoi Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.