Manastirliu inspekton spitalin e ri të kirurgjisë në Sarandë: Standard i ri shërbimi për qytetarët

Sarandë, 23 qershor/ATSH/ – Pas përfundimit të Materniteti të ri të Sarandës, një tjetër investim i rëndësishëm po transformon këtë spital bashkiak, ndërtimi i spitalit të ri të kirurgjisë dhe patologjisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi spitalin e ri në Sarandë, i pajisur edhe me aparatura mjekësore të teknologjisë së lartë, që po vihet tashmë në funksion të plotë.

“Vijon transformimi i spitaleve rajonale dhe bashkiake për të garantuar shërbim cilësor për qytetarët, afër vendbanimit. Spitali i ri i Kirurgjisë në Sarandë po rrit në një standard të ri shërbimin në këtë spital, që i shërben qytetarëve të Sarandës dhe rrethinave, por edhe turistëve të shumtë”, tha Manastirliu.

Spitali bashkiak i Sarandës nisi transformimin me ndërtimin e maternitetit të ri në vitin 2018, për të vijuar me investimin për rikonstruksionin dhe shtesën për shërbimet e kirurgjisë dhe patologjisë. Një investim prej 381 milionë lekë nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe pajisjes me aparatura të reja mjekësore të maternitetit, pavijonit të kirurgjisë dhe patologjisë në spitalin bashkiak të Sarandës.

Janë investuar 55 milion lekë për bllokun operator dhe shërbimin e patologjisë në shtesën dy kate, duke filluar nga pajisjet dhe aparaturat mjekësore moderne si makina anestezie, aspirator kirugjikal, komplet instrumentesh kirurgjikalë, laringoskop, elektrobisturi, defibrilator, pompa infuzioni, ventilator, monitorë, shiringa elektrike, puls oksimetër, etj.

Spitali i ri ka tre salla operacioni për shërbimin e kirurgjisë së përgjithshme, ortopedisë, okulistikës dhe ORL. Gjithashtu në këto ambiente janë instaluar sistemet e gazrave mjekësore, të aspirimit dhe sistemit të ngrohje-ftohjes të përqendruar, etj.

Mbi spitalin e ri në Sarandë është ndërtuar helikodromi i ri i spitalit, i cili shërben për transportin e pacientëve me helikopter drejt spitaleve universitare, për rastet kur është e nevojshme të marrin trajtim më të specializuar.

Më herët, qeveria investoi për ndërtimin e Maternitetit të ri të Sarandës që i shërben 140 mijë banorëve të katër bashkive Sarandë, Konispol, Delvinë dhe Finiq. Spitalit të Sarandës i janë shtuar këtë vit edhe katër mjekë të rinj specialistë në shërbimet e kirurgjisë, pediatrisë, kardiologjisë dhe gastrohepatologjisë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.