Lulin vetëm ta lësh, bashkë me PD, prapë s’fiton dot zgjedhje

TIRANË, 23 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Përmeti, ku mori pjesë në takimin elektoral se në 2017 bëri marrëveshje me Bashën për të mirën e Shqipërisë dhe sepse mendonte se mund të hapej një faqe e re, por këtë herë,  tha ai, “nuk ka më karamele për Lulin”.

“Bëmë marrëveshje në 2017, mori gjysmën e qeverisë, hymë në zgjedhje. Humbën zgjedhjet thellë. Vera kaloi në gjumë dhe pushime se pushimet ai nuk i fal as për demokracinë, as për lirinë. Ai pushimet një, gjumin dy nuk i fal. Erdhi pranvera. Në mendjen e tij ai thotë: Po mirë unë pa djegur mandatet dhe institucionet, mora gjysmën, po djeg mandatet po hidhem përpjetë dhe po e marr të gjithë në tavolinë. Edhe në fakt s’ka faj se ai s’fiton dot në zgjedhje. Sikur të kishim bërë të kundërtën, ne të mos hynim në zgjedhje, ata të hynin vetëm, ata nuk fitonin dot. Ju siguroj prapë nuk fitonin dot. Lulin vetëm ta lësh, bashkë me PD, prapë s’fiton dot zgjedhje edhe sikur të mos ketë asnjë kundërshtarë”, tha Rama.

“Kështu që pse e bëra unë atë atëherë? Po të ishte puna që unë jam ai që thonë këta që i do të gjitha për vete, kishim hyrë në zgjedhje, do kishim sot 140 deputetë socialistë në parlament. Dhe këta do ishin rrugëve që para 2 vjetësh. Por e bëra sepse menduam që për Shqipërinë ishte më mirë ashtu. Dhe në fakt menduam që do hapnim një faqe e re. Po me kë ta hapësh një faqe të re me Saliun, me Ilir Metën apo me Monikën dhe Lulin. Kështu që këtë herë nuk ka më karamele për Lulin”, u shpreh kryeministri Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.