Guci: Do krijojmë vende të reja pune në Memaliaj

TIRANË, 23 qershor /ATSH-A.ALLA/ – “Banorët e Memaliajt na kanë besuar në ditët më të vështira dhe besojnë që Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që ka sjellë ndryshimin dhe progresin për Shqipërinë”, – u shpreh kandidati i Partisë Socialiste për Memaliajn, Gjolekë Guci gjatë takimit elektoral në Tepelenë.

Guci tha se, “fal takimeve derë më derë me banorët ne tashmë kemi një panoramë më të qartë dhe reale të problematikave të zonës së Memaliajt. Ne jemi realistë që kërkesat e zonës nuk i plotësojmë dot të gjitha, por ju garantojmë që vullneti dhe dëshira e ekipit tonë për të punuar për zhvillimin e kësaj zone nuk do mungojë kurrë”.

“Ne do ta nisim punën tonë me ndërhyrje në infrastrukturën rrugore dhe ujësjellësat, që janë jetike për zhvillimin e zonës. Gjithashtu do punojmë fort për të krijuar vende të reja pune për bashkinë e Memaliajt dhe gjithë qytetit”, – tha Guci.

“Si inxhinier ndërtimi që jam, kam bindjen që së bashku me skuadrën e Memaliajt do bëjmë më të mirën për shumë projekte që kemi nisur dhe për ato që do nisim së shpejti”, – përfundoi Guci.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.