Golemi: Më 30 qershor për Gjirokastrën që duam

TIRANË, 23 qershor /ATSH-A.ALLA/ – “Si kurrë më parë ne jemi bashkë të gjithë dhe po shkojmë drejt 30 qershorit për fitoren e merituar. Shumë më shumë se sot në këtë shesh do jemi bashkë më 30 qershor për të votuar, jo për Gjirokastrën që kemi, por për Gjirokastrën që ne duam të gjithë bashkë”, – tha kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Gjirokastër, Flamur Golemi gjatë takimit elektoral në këtë qytet.

“Katër vite më parë ne si socialistë i dhamë besimin kryebashkiakes aktuale, por sot pas 4 vitesh ne nuk e morëm mbrapsht këtë besim”, – tha Golemi.

Golemi u shpreh se, “është koha që të gjithë bashkë më 30 qershor t’ia kthejmë bashkinë e Gjirokastrës Partisë Socialiste. Unë jam gati të punoj për Gjirokastrën dhe të shërbej si kryebashkiak me përkushtimin e një mjeku dhe dhembshurinë e një babai që dy djemtë e tij ka vendosur t’i rrisë në këtë qytet”.

“Nuk kemi më kohë për të humbur, së bashku kemi projekte për Gjirokastrën duke filluar që nga Sheshi i Çerçizit, parkingu nëntokësor, pallati i sportit, terminali i autobusëve etj. Këto janë disa nga projektet, pasi do ketë dhe shumë të tjerë që do të vazhdojnë me mbështetjen e qeverisë gjatë 4 viteve të ardhshme”, – përfundoi kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Gjirokastër, Flamur Golemi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.