Alla: Do shënojmë ndryshim rrënjësor të infrastrukturës në bashkinë e Bulqizës

TIRANË, 23 qershor /ATSH/ – Kandidati socialist për kryetar i bashkisë Bulqizë, Lefter Alla vijoi me takimet elektorale në fshatrat Shtushaj, Mazhicë, Gjuras dhe Bllacë.

Gjatë takimeve ai gjeti mbështetje të gjerë nga banorët e këtyre fshatrave, të cilët u njohën me programin e tij për katër vitet e ardhshme.

Përballë problematikave të ngjashme në këto zona, Alla u shpreh se, “katër vitet në vijim do të shënojnë ndryshim rrënjësor në infrastrukturën e zonës, sidomos në shtrimin e rrugëve lidhëse të këtyre fshatrave”.

Sipas tij, investimet do të shtrihen edhe në ndërtimin e qendrave funksionale shëndetësore, restaurimi i kabinave elektrike dhe shkollave, por edhe në një tjetërsim të komunikimit dhe shërbimeve të administratës me banorët.

Duke premtuar se katër vitet e ardhshme do të shërbejnë për rikthimin e besimit të qytetarëve tek demokracia përfaqësuese, Alla ftoi banorët që më 30 qershor t’u drejtohen qendrave të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre përmes votës, si një nga kushtet më të rëndësishme për funksionimin e demokracisë. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.