Saliu, Iliri, Luli dhe fallxhorja nuk mund ta pranojnë rrugën e cjapit te kasapi

TIRANË, 22 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se vendet anëtare të BE kur të hapin negociatat do të kërkojnë nga Shqipëria dy kapitujt e drejtësisë.

Teksa ishte  i pranishëm në Konispol për të prezantuar kandidatin e  PS në këtë bashki, Shuaip Beqiri, Kryeministri Rama u shpreh se, “dihet që shtetet anëtare nuk janë të gjitha në një mendje. Jo për shkakun tonë, por për shkak të arsyeve të brendshme. Për shkak të vizionit të ndryshëm që ka njëri nga tjetri për zgjerimin”.

Por, tha Rama, “arsyeja mbetet aty në momentin që shtetet anëtare thonë dakord jemi gati të ulemi në tryezë me Shqipërinë edhe të negociojmë anëtarësimin e Shqipërisë në familjen tonë, filloni bisedimet. Dhe gjëja e parë që BE do i vërë përpara Shqipërisë janë dy kapitujt e negociatave për drejtësinë. Dhe aty BE nuk do kërkojë sa ligje keni e sa prokurorë ka kapur vetting.  Do thonë, ju doni të bëheni anëtarë të BE? Shumë mirë. Duhet të na provoni që në vendin tuaj keni shtet të së drejtës ku drejtësia është e barabartë për të gjithë dhe ku sado i gjatë të jesh nuk e shikon dot drejtësinë nga lart poshtë. Dhe sado i shkurtër të jesh nuk i ikën dot. Sado i fortë të jesh dhe sado pushtet të kesh apo të kesh pasur jep llogari para drejtësisë nëse ke bërë zullum. Këto janë negociatat”.

“Imagjinoni tani këtë gjë ta pranojë me vullnetin e tyre të lirë katërshja që po e bën gjithë këtë gjullurdi. Saliu, Iliri, Luli, Fallxhorja, si mund të pranojnë këta këtë rrugë të cjapit për tek kasapi. Pa bërë çfarë të munden për ta penguar, për ta hedhur në erë. Mirëpo asgjë s’kanë për të hedhur në erë”, tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.