Rikualifikim urban i qendrës së Roskovecit

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ “Shumë shpejt Roskoveci do të ketë një pamje të tjetërsuar”, deklaroi kryetarja e Bashkisë, Majlinda Bufi, e cila rikandidon për një mandat tjetër në 30 qershor.

Bashkia Roskovec ka nisur punën për rikualifikimin urban të qendrës së qytetit me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone, si dhe krijimin e akseseve të lëvizjes dhe ambiente shplodhëse.

“Rrugët e dëmtuara ndër vite, me ndërtime jashtë planimetrisë, me ujërat e zeza që rrezikonin të ktheheshin në burim infeksioni, së shpejti do të jenë thjesht një kujtim i shëmtuar për banorët”, tha kryetarja e bashkisë.

Bufi tha se gjatë mandatit të dytë do të jetë e fokusuar edhe në zhvillimin e mëtejshëm urban, ku parashikohet të ndërtohen rrugë, trotuare, lulishte dhe hapësira çlodhëse e argëtuese për fëmijë.

“Puna do të vazhdoj për dhe në të mirë të komunitetit, duke synuar përmirësimin e standardeve të jetesës dhe tjetërsimin e imazhit të qytetit të Roskovecit”, tha ajo./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.