Në 30 qershor mbyllet kapitulli i politikës mbi ligjin, Reformën në Drejtësi askush nuk e ndal

TIRANË, 22 qershor /ATSH/- Kryeministri Edi Rama tha sot nga Konispoli se, “zgjedhjet e 30 qershorit janë një moment shumë i rëndësishëm për vendin. Zgjedhjet janë e drejta e popullit, nuk janë e drejta e politikanëve. Populli ka të drejtë kur i vjen dita të gjykojë me votë për partinë që do. Nuk është e drejta e politikanëve t’i thotë popullit ik se do shihemi më vonë”.

Në fjalën e mbajtur të shtunën në takimin elektoral që u zhvillua në Konispol, Rama shpjegoi se, “Partia Socialiste sot qeveris 75% të territorit të vendit dhe shumicën në parlament e ka më solide se kurrë. Në këtë aspekt, për PS-në nuk është fare problem shtyrja e zgjedhjeve, po të jetë puna për interesin e ngushtë dhe personal. Por ama ne nuk mund t’i ikim kësaj sfide tensioni, që ka krijuar opozita, për një arsye shumë të thjeshtë, se nëse preferojmë sot ta trajtojmë këtë kancer që ka 30 vjet që e torturon politikën shqiptare duke fjetur gjumë, ose duke bërë sikur nuk ekziston, e keqja e madhe vjen pas, sepse nesër historia vazhdon me po këtë avaz, me këtë opozitë apo me të tjerë opozitarë, apo dhe nga ne vetë. Kjo është arsyeja që nuk e kemi bërë shtetin dhe po ndërtojmë shtetin ligjor me shumë sakrifica, me shumë durim, sepse politikanët janë mësuar gjithmonë të flasin gjithë ditën për ligjin, dhe gjithë natën të shikojnë ëndrra sikur janë mbi ligjin”.

“Politikat, – vijoi Rama, – janë mësuar gjithmonë t’ja tregojnë ligjin të tjerëve. Kjo nuk mund të vazhdojë më. Më 30 qershor populli do t’i thotë politikanëve, ju jeni njësoj si të gjithë të tjetër dhe shembull i respektimit të ligjit. 30 qershori është një moment historik, për ta mbyllur njëherë e mirë këtë kapitull, që çdo malukat që i shkon mendja se mund të fitojë gjë duke djegur mandate, shkolla, duke djegur popullin, të digjet vetë. Luli u mësua keq, mori dy vjet përpara çfarë donte, pa garë, pa zgjedhje, me presione e dhunë. Ndaj Noc Rrokun do marrë, ai dhe kushdo tjetër që nuk do të kuptojë se e drejta për të qeverisur jepet dhe hiqet nga populli”.

Duke iu drejtuar të gjithë njerëzve të zakonshëm, Kryeministri theksoi se, “çdo ditë që ka kaluar ka provuar, se nuk ka shqiptarë të arsyeshëm, apo dhe demokrati më ekstremist, që të pranojë se politika bëhet me imponime dhe dhunë”.

“Të jeni të sigurt që 30 qershori është momenti i mbylljes së kapitullit skandaloz të qëndrimit të politikës mbi ligjin, prandaj 30 qershori është dridhja e tartakutit, nga dëshira jonë për të bërë shtet e drejtësi. Në fillim shumë njerëz nuk e kanë kuptuar që Reforma në Drejtësi do krijonte tërmet, ja ku janë shqetësimet, mund edhe ta kishin rrëzuar si qeveri, edhe si shumicë, ama mbështetja e madhe që ka në popull, në demokratë e socialistë, Reforma në Drejtësi është një garanci që ata nuk e ndalin dot këtë reformë, por edhe kushdo prej tyre që ka hesape me drejtësinë do t’i lajë këto hesape”, – deklaroi Rama.

Shqipëria do bëhet, ose do bëhet, tha ai. /e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.