Minoriteti pasuri kulturore, urë lidhëse mes dy vendeve

TIRANË, 22 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ – Kryeministri Edi Rama e cilësoi minoritetin grek në Shqipëri si pasuri kulturore dhe urë lidhëse midis dy vendeve.

Ai u shpreh se asnjë kryeministër apo qeveri nuk ka bërë më parë më shumë sesa kjo qeveri për minoritetin, duke bërë reformën territoriale dhe duke i dhënë minoritetit mundësinë që të përfaqësohet dhe të vetë administrohet në dy bashki.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Bashkinë Finiq, ku prezantoi kandidatin e PS, Kristaq Kiço, teksa deklaroi se, “dua të nënvizoj edhe atë që kemi thënë shpesh here dhe është një zotim që unë e kam marrë. Shumë kush këtu në këtë territor në territorin e minoritetit ka nevojë për armiq gjithmonë, për të tërhequr vëmendje, për të marrë mbështetje, për të marrë vota, pastaj për t’i bërë naftën popullit që e voton. Dhe s’ka lënë gjë pa thënë gjë për mua, por kur të më nxjerrin mua një kryeministër apo një tjetër kohë të qeverisjes ku është bërë më shumë për minoritetin sesa në këtë kohë atëherë unë jam gati të filloj të shoh tek vetja”.

“Kemi bërë reformën territorial dhe i kemi dhënë minoritetit mundësinë që të përfaqësohet dhe të vetë administrohet në dy bashki që pavarësisht se janë janë jashtë standardeve nga pikëpamja e volumit të popullsisë dhe ato parametrat e tjerë të reformës territoriale, janë konsideruar pasuri kulturore e këtij shteti, se i tillë është minoriteti pasuri kulturore, ura lidhëse mes vendeve”, tha Rama.

Së dyti, theksoi Rama, “pa diskutim që Kristaqi ka shumë të drejtë  kur thotë arsimi, arsimi arsimi dhe ne kemi bërë shumë progres me gjithë paketën e arsimit. Dhe këtu, jam zotuar më përpara, do të kemi një zyrë arsimore që do të kujdeset për të dyja zonat, bashkitë minoritare në mënyrë ekskluzive dhe kjo do të ndihmojë shumë për të pasur një fokus dhe bashkërendim të punës, pa krijuar distance dhe keqkuptime që vijnë nga mungesa e vëmendjes së një pale apo nga harresa e palës tjetër”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.