Gjici: T’i kthejmë bashkinë qytetarëve, projekte për zhvillimin e Kukësit

TIRANË, 22 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Qeveria e ka kthyer vëmendjen tek Kukësi, por tani ka ardhur koha të bëjmë gjithçka për t’ia kthyer bashkinë qytetarëve, sepse deri tani kemi pasur një bashki që nuk ka bërë asnjë gjë për qytetarët”.

Kështu deklaroi sot në një intervistë për ERTV-në, kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Kukës, Safet Gjici.

“Qeveria e ka kthyer vëmendjen tek Kukësi dhe faktet e tregojnë vetë, siç është fillimi i punimeve për aeroportin e dytë kombëtar, apo ecja e punimeve me ritme të shpejta të spitalit rajonal dhe investimi për stadiumin. Bashkë me qeverinë do të bëjmë gjithçka për t’ia kthyer bashkinë qytetarëve, sepse deri tani kemi pasur një bashki që nuk ka bërë asnjë gjë për qytetarët”, – tha ai.

Gjici tha se “kemi hartuar një program për ta zhvilluar Kukësin, kryesisht në infrastrukturë”. “Lagjet e Kukësit nuk kanë pësuar ndërhyrje prej vitesh dhe qytetarët kuksianë nuk kanë përfituar asnjë shërbim. Qeveria qendrore ka investuar në 7 qendra shëndetësore, ndërsa po investohet gjithashtu edhe në arsim. Ne do të bëjmë qendra shëndetësore edhe në njësitë e thella administrative të Kukësit”, – tha ai.

Gjici tha po ashtu se, rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe aspektit social, ku bashkë me entin e banesave do të ndërtojmë banesa sociale.

Kukësi, sipas tij, “ka pika turistike shumë të bukura që nuk janë vënë në dispozicion, për shkak të menaxhimit të keq të bashkisë”.

“Ne do të mbështesim me fonde për të zhvilluar këto fshatra turistikë që janë jashtëzakonisht të bukur, do të mbështesim agrobiznesin që të krijojë sa më shumë bujtina. Nga këto projekte kuksianët do të përfitojnë shumë”, – tha Gjici.

Ai tha se gëzon mbështetje masive, të jashtëzakonshme në takimet që ka bërë, ku kanë marrë pjesë të gjitha krahët politikë. “Ne flasim me vepra, jo me fjalë. Qytetarët e duan me padurim ndryshimin e pushtetit lokal, që për 20 vite ka qenë i krahut tjetër. Ne do të ndërhyjmë fuqishëm për rikualifikimin e gjithë lagjeve të qytetit, në mënyrë kapilare”, – tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.