FOTO/ Ersekë, Farma Sotira pajiset me certifikatën e agroturizmit

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ – Farma Sotira, e pozicionuar në Leskovik të Korçës, një nga fermat më të famshme në vend, është padiskutim një shembull suksesi sa i takon investimeve në agroturizëm. Një atraksion i jashtëzakonshëm turistik, në juglindje të vendit, Farma Sotira vizitohet nga mijëra turistë të huaj, duke prodhuar jo vetëm ekonomi për familjen, por edhe turizëm dhe punësime për banorët e zonës.

Këtë fundjavë, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi i dorëzoi certifikatën e agroturizmit administratorëve të subjektit Farma Sotira, e cila përveç se certifikohet për herë të parë, do të përfitojë edhe një sërë lehtësish fiskale nga paketa e qeverisë, që nxit zhvillimin e bizneseve, që promovojnë turizmin, kulinarinë e zonës dhe mikpritjen.

“Nuk ka ngjarje më të rëndësishme për një ministër Turizmi sesa kur shkon në një pikë agroturistike dhe nuk gjen vend për t’u ulur”, – tha ministri Klosi, pas dorëzimit të certifikatës së agroturizmit.

I shoqëruar edhe nga kandidati për kryetar bashkie në Kolonjë, Erion Isai dhe drejtues lokalë, ministri Klosi vizitoi edhe panairin me produkte dhe gatime tradicionale, i organizuar në një festë të mrekullueshme lokale me këngë dhe valle të zonës.

Ndërsa në vijim, ministri vizitoi edhe disa nga dhomat që i shtohen kësaj pike agroturistike, duke ofruar mundësi të reja për të pritur turistët e panumërt që vizitojnë fermën, që përveçse shijojnë gatimet tradicionale, eksplorojnë sportet në natyrë, kanë mundësi të kalojnë mbrëmjen në fshat. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.