Suli: Përmirësim të infrastrukturës në Babrru në 4 vitet e ardhshme

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ – Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë Kamëz Rakip Suli zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorët e zonës së Babrrusë.

Keqadministrimi, ashtu si në çdo lagje dhe pjesë të bashkisë Kamëz, edhe në zonën e Babrrusë, sipas Sulit, është i dukshëm. Banorët e njohën kandidatin Suli me problematikat e mëdha, si infrastruktura e dobët dhe jashtë çdo standardi, rrugë në të cilat nuk mund të depërtojnë as tanket ushtarake.

Rakip Suli iu bëri me dije banorëve se vëmendja imediate përgjatë qeverisjes lokale të bashkisë Kamëz, në këtë zonë, për 4 vitet e ardhshme, do të drejtohet menjëherë në përmirësimin imediat të infrastrukturës në zonë, ndërtimin e çerdheve dhe kopshteve si një nevojë e madhe për të vegjlit e kësaj zone.

Gjithashtu Suli u shpreh se gjithashtu do punohet dhe në projektimin dhe ndërtimin e hapësirave rekreative, këndeve të lojërave dhe mjediseve çlodhëse, pastrimin dhe trajtimin e mbetjeve për një jetesë kualitative dhe të shëndetshme.

Suli në fund të takimit tha se, “në këtë takim, shqetësimet ishin të shumta në numër, por zgjidhja e tyre mbetet vetëm një, dhe këtë mund t’a arrijmë të gjithë së bashku më 30 qershor”. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.