Rama: Nuk negociojmë demokracinë, zgjedhjet në të gjithë Shqipërinë

TIRANË, 21 qershor/ATSH/- Zgjedhjet do të mbahen në gjithë Shqipërinë, ata që përpiqen t’i pengojnë janë gabim, luajnë me zjarrin, sepse djegin veten në raport me ligjin, dhe ligjet janë të qarta.

Kështu deklaroi sot Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për Radion Europa e Lirë.

“Zgjedhjet kanë një administratë zgjedhore, një gjykatë zgjedhore bazuar edhe në opinion e kahershëm të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, çdo problem i kujtdo me zgjedhjet adresohet në Gjykatën Speciale Zgjedhore dhe askund tjetër. Janë përpjekje të dëshpëruara, të cilat nuk kanë asnjë shans që të përmbysin bazën e rregullave të bashkëjetesës demokratike. Nuk është problemi që unë insistoj të shkoj në zgjedhje, unë insistoj që të respektohet Kushtetuta dhe e drejta e popullit për të zgjedhur”, – nënvizoi Rama.

I pyetur se ku e shikon zgjidhjen e krizës, kreu i Qeverisë u shpreh se “zgjidhja është e qartë është zgjidhja që mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar, patjetër edhe gjithë shumica dërrmuese e popullit shqiptar, që do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedhë në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji dhe politikanët kanë për detyrë të paraqiten para popullit, kush nuk paraqitet para popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se jo vetëm nuk fiton asgjë, por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike”.

Në lidhje me pyetjen se ku do të vërtetohet vlefshmëria e këtij vendimi dhe vlefshmëria e mbajtjes së zgjedhjes, Rama u shpreh se “Gjykata Kushtetuese e ka dhënë opinionin e vet disa vite më parë dhe ka nënvizuar se aktet e Presidentit janë akte individuale, të cilat kur lidhen me zgjedhjet adresohen në gjykatën përkatëse që është Kolegji Zgjedhor dhe askund tjetër, jemi të qartë në këtë pikë”.

Sa i përket aktit të Presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve, Kryeministri Rama u shpreh se “është një akt absolutisht i pavlefshëm dhe përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës, për të cilën Presidenti është në një procedurë shkarkimi në Parlamentin e Shqipërisë”.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetares së Radio Europa e Lirë për përgjimet e publikuara në Gjermani nëse është i gatshëm të përballet me akuzat dhe si do ti adresojë ato, Rama theksoi se “faleminderit për pyetjen dhe pyetja që pason këtë pyetje pse këto përgjime nuk janë përdorur për të bërë një hetim shterues, pse prej 2016 këto përgjime janë mbajtur mbyllur dhe nuk është bërë asnjë hetim, dhe pse këto përgjime të mbyllura janë dërguar tek partia e opozitës, dhe pse partia e opozitës këto përgjime i dërgon në Gjermani për t’i paraqitur si zbulime gjermane”.

“Këto nuk janë zbulime gjermane, këto janë përgjime të Prokurorisë shqiptare, të cilat në mënyrë të paligjshme janë keqpërdorur duke thyer rëndë sekretin hetimor dhe përgjigja është thjeshtë përsëri, e dhimbshme, por e thjeshtë. Përgjimet janë kthyer nga një bazë për të hetuar në një ushqim për të helmuar njerëzit dhe opinionin ndërkombëtar në prag të çeljes së negociatave. Sepse gjithçka po ndodh në Shqipëri është një përpjekje për të frenuar çeljen e negociatave. Pse? Sepse me çeljen e negociatave fillon bashkëbisedimi për anëtarësim me kapitujt e drejtësisë”, – tha Rama.

Më tej kryeministri shprehet se “nuk është thjesht çfarë ligjesh ka Shqipëria, apo si po e pastron sistemin e drejtësisë përmes Vetingut, por Shqipëria duhet të provojë që ka një sistem drejtësie që i vendos të gjithë të barabartë para ligjit dhe ndëshkon këdo që nga më të gjatët deri më shkurtrit, që nga më të fortët deri tek më të dobëtit, kur ata shkelin ligjin. Këtë e dinë shumë mirë gjithë organizatorët e këtij plani dhe nxitësit e gjithë kësaj dhune”.

I pyetur nëse BE do të hezitojë për çeljen e negociatave për shkak të zhvillimeve politike dhe krizës politike, Rama tha se “rreziku që ky plan qartësisht antikombëtar të mund të funksionojë është real, sepse në fund të fundit e gjithë kjo që po ndodh nuk ndihmon ata që duan të na ndihmojnë dhe ushqen ata që s’duan të na ndihmojnë. Kështu që rreziku është real, por sidoqoftë përpjekjen ne do ta bëjmë deri në fund”.

Ndërsa pyetjes nëse ka ndonjë ofertë për opozitën, Kryeministri Rama u shpreh se “unë kam insistuar për dialog gjithmonë, kam bërë të gjitha përpjekjet për dialog, e vetmja gjë që nuk mund të negociohet është demokracia dhe patjetër nuk mund të negociohen edhe afatet kur populli duhet të marrë fjalën. Këto janë të panegociueshme, gjithçka tjetër është lehtësisht e negociueshme. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.