Organizimi i lotarive të palejuara, procedohen 2 persona

TIRANË, 21 qershor/ATSH/- Policia e Tiranës vijon kontrollet në të gjithë qarkun për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që vijojnë ende të ushtrojnë aktivitetin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Policia bën të ditur se janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 tableta të markave të ndryshme.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 1, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: P. P., 51 vjeç, banues në Tiranë. M.P., 31 vjeç banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim të shtetasit P.P dhe të regjistruar në emër të shtetasit M.P, shtetasi P.P ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, ku gjatë kontrollit u gjetën 4 tableta që shërbenin për të ushtruar veprimtari të lojërave të fatit të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Kontrollet kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun e Tiranës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme. /a.g/

/a.f/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.