Foto/ Ambasadorja Faber zhvillon takime me biznesmenë shqiptarë në SHBA

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ – Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Luli-Faber gjatë një vizite të zhvilluar në Kaliforni u mirëprit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar, biznesmenë dhe të rinj profesionistë në fusha të ndryshme në Los Anxhelos.

Pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrën e organizimit të komunitetit në këtë zonë, si edhe projektet e tyre në këtë kuadër. Theksi u vu në rëndësinë e ruajtjes së traditave dhe vlerave tona kombëtare si edhe tejçimin e tyre tek brezi i ri.

Ambasadorja Faber u bëri me dije bashkëkombasve nismat që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kuadër të forcimit të marrëdhënies me diasporën shqiptare duke vënë në dukje prioritetin e Qeverisë për një marrëdhënie më të fortë me diasporën, duke përmendur edhe hapat konkretë për realizimin e saj, si ndërtimi i institucioneve të reja të diasporës, shërbimin sa më të mirë ndaj qytetarëve nëpërmjet Shërbimeve Konsullore Online (SHKO), që kanë për qëllim minimizimin e kohës së marrjes së shërbimeve online të nevojshme.

Në fjalën e saj, ambasadorja theksoi rëndësinë e diasporës shqiptare si një faktor përcaktues në zhvillimin e kombit tonë si edhe një nga historitë e mëdha të suksesit me një rol jetësor në shtetndërtimin e tij.

Ambasada shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehet se komuniteti shqiptar në Los Anxhelos e vlerësoi këtë vizitë si më të veçantën dhe më të rrallën ndër vite të një përfaqësuesi të shtetit shqiptar.

Gjatë kësaj vizite, ambasadorja Faber u takua dhe me disa bashkatdhetarë nga San Diego, të cilët jetojnë atje prej shumë vitesh. Në bisedë ajo mundësoi njohjen dhe komunikimin e afërt me këtë grup, të ardhur kryesisht nga Shqipëria gjatë dy dekadave të fundit.

Ajo gjithashtu bëri një takim të ngushtë edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Palo Alto, profesionistë të sistemit financiar dhe ekspertë në fushën e IT, me të cilët bisedoi për një numër projektesh që mund të kenë potencial zhvillimi në Shqipëri. /z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.