Anëtarja zëvendësuese e KED, Veizi kalon Vetingun

TIRANË, 21 qershor/ATSH/- Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe vëzhguesi ndërkombëtar pranuan se pasuria e gjyqtares së Gjykatës Administrative Durrës, njëkohësisht anëtare zëvendësuese e KED, Klodiana Veizi rezulton nga burime të ligjshme, ndërsa konfirmuan se Veizi kaloi me sukses Vetingun.

Trupa gjykuese që kreu vetingun për Veizin, përbëhej nga Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi dhe Etleda Çiftja.

Klodiana Veizi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës.

Në vitin 2005 ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lushnjës, ndërsa në vitin 2014 ajo u zgjodh anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit me dekret të presidentit të Republikës.

Klodiana Veizi është gjithashtu anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e zgjedhur për vitin 2019 përmes shortit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë. /a.f//a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.