Xhaçka: Procedurat për shkarkimin e Presidentit mund të mbyllen javën tjetër

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ – Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka  gjatë një interviste televizive foli për nismën e mazhorancës për të shkarkuar Presidentin Ilir Meta. Ajo u shpreh se nisma ka kaluar në Komisionin e Ligjeve dhe procedura për shkarkimin e tij mund të mbyllet brenda 10 ditësh.

“Sot për sot, kërkesa e deputetëve firmëtarë i ka shkuar Komisionit të Ligjeve. Komisioni i Ligjeve shqyrton kërkesën e deputetëve paligjshmëritë, antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit. Më pas Komisioni e kthen ose i bën kërkesë Parlamentit të votojë shkarkimin e Presidentit. E gjitha mund të ndodhë në një javë ose 10 ditë. Nuk ka pse të ketë Komision Hetimor. Mund ta bëjë dhe Komisioni i Ligjeve. Ndoshta do të thërrasë dhe vetë Presidentin, kam përshtypjen të hënën. Më pas Komisioni del me një vendim që ja dërgon Kuvendit. Procedura është më e shpejtë nga sa e parashikuat ju”, – u shpreh ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka.

Në lidhje me skenarët e nxjerrjes së Ushtrisë nga Presidenti ditën e zgjedhjeve, Xhaçka tha se nuk ekziston një mundësi e tillë.

“Absolutisht jo, në asnjë skenar. Ushtria del në rrugë në rastin e gjendjes së jashtëzakonshme, e cila nuk ka lidhje fare me Presidentin, por me Këshillin e Ministrave që i propozon Parlamentit në kushtet kur Policia e Shtetit, jo është dorëzuar, por nuk arrin dot të mbrojë institucionet, rendin kushtetues dhe kërkon ndihmë më shumë. Atëherë shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme bëhet nga Këshilli i Ministrave dhe me vendim Parlamenti, ushtria mund të asistojë në vendosjen e rendit, në ruajtjen e rendit kushtetues. Nuk ka absolutisht asnjë shans të vetëm që në kohë paqeje Presidenti të urdhërojë ushtrinë të dalë në rrugë. Përveçse në kohë lufte, në kohë paqeje Komandanti i Forcave të Armatosura ushtron të drejtën e tij përmes Kryeministrit dhe të Ministrit të Mbrojtjes. Kur e dëgjova këtë mendova se ishte shaka, sepse nuk ka asnjë mundësi tjetër”, – u shpreh Olta Xhaçka. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.