Sulmet ndaj KZAZ-ve në Mat, 33 të proceduar ndër ta 9 të arrestuar

TIRANË, 20 qershor/ATSH/- Policia e Shtetit ka proceduar 33 persona, ndër ta 9 i ka arrestuar, pasi kanë ushtruar dhunë ditën e djeshme ndaj Forcave të Rendit dhe Sigurisë, që mbanin në ruajtje KZAZ-të dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore në rrethin e Matit.

Në nëj njoftim për shtyp policia bën të ditur se “personat e arrestuar janë E. D., 21 vjeç, banues në Burrel, Xh. Gj., 55 vjeç, banues në Burrel, M. D., 53 vjeç, banues në Burrel (Punonjës Policie i Bashkisë Burrel), E. T., 49 vjeç, banues në Klos, I. Ç., 44 vjeç , banues në Klos (Administrator i njësisë administrative Suç, Klos), M. Gj., 62 vjeç, banues në Klos, M. L., 38 vjeç, banues në Klos (Përgjegjës i zyrës së ndihmës ekonomike, Klos), R. D., 62 vjeç, banues në Klos (punonjës në mirëmbajtjen e rrugëve, Klos) dhe H. K., 46 vjeç, lindur në Klos e banues në Britaninë e Madhe”.

Sipas policisë, këta persona kanë dëmtuar materialet zgjedhore të KZAZ Nr. 16, që ndodhej në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa”, Bashkia Mat dhe KZAZ nr. 17, që ndodhej tek Biblioteka e qytetit, bashkia Klos.

Arrestimi i tyre u krye nga specialistët për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike të administruara nga policia.

Po ashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas, konkretisht: N. D., B. Ç., D. V., S. K., B. C., Sh. XH., A. B., R. K., Sh. D., J. F., K. P., E. P, si dhe janë shpallur në kërkim 12 shtetas të tjerë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.