Pas 4 dekadash, investimi në ujësjellësin e Krujës që u vjen në ndihmë 17 mijë banorëve

TIRANË, 20 qershor /ATSH/- Pas 4 dekadash të lënë në harresë, qeveria nis në shtator një investim të rëndësishëm me vlerë 330 milionë lekë, në rrjetin e ujësjellësit të Krujës, që garanton furnizim me ujë të pijshëm 24 orë për 17 500 banorë të kësaj zone.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku gjatë një interpelance të enjten, me banorë të Krujës, në lidhje me problemin e trashëguar të furnizimit me ujë, shprehu angazhimin maksimal të qeverisë për të gjetur zgjidhje sa më të shpejtë, me një investim që do t’u vijë në ndihmë jo vetëm banorëve të zonës, por edhe zhvillimit të turizmit dhe biznesit të Krujës.

Furnizimi me vetëm 3 deri 4 orë ujë në ditë në Krujë, është një problem i trashëguar në vite. Ndaj lidhur me këtë shqetësim ne kemi marrë masa konkrete, tha Balluku.

Ministrja Balluku në përgjigje të pyetjes se kur do të nisë investimi në ujësjellësin e Krujës dhe kur do të hyjë në funksion skema e furnizimit me ujë të pijshëm, tha se “Qeveria ka hartuar tashmë planin e investimit strategjik në këtë ujësjellës, i cili tashmë është në gjendje tejet të amortizuar dhe në shtator do të nisë investimi në këtë rrjet që garanton furnizimin me ujë pa ndërprerje të të gjithë zonës”.

Reforma në sektorin e ujësjellësit pavarësisht se flitet pak në media, është më i vështirë se reforma në sektorin e energjisë, sepse sistemet e kanalizimeve janë nën tokë, shumë të amortizuara, që sjell humbje të mëdha në rrjet të ujit dhe moskryerja e pagesave apo ndërhyrjet në rrjet janë të konsiderueshme.

Gjithësesi, tha Balluku, investimi do të bëjë ndërhyrje të thellë në ujësjellësin e Krujës dhe në vitin 2020 ne do t’i japim zgjidhje problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë banorët e zonës së Krujës. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.