Në Shkodër ndërtuam stadiumin, Ademi pengon ndërtimin e rrugës së liqenit dhe të Velipojës

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Një stadium Shkodra sot e ka nga unë, ndërsa    projekti për vijën e liqenit dhe rruga e Velipojës janë bllokuar nga bashkia e Shkodrës”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një takim elektoral me banorë të Shkodrës, Rama tha se “ka qenë insistimi i Ditmir Bushatit dhe mbështetja ime për t’i dhënë Shirokës atë që i ka munguar dhe për ta bërë atraksion turistik”.

“Projekti është i bllokuar, sepse Voltana nuk heq dy kioska dhe nuk bashkëpunon për shpronësimet. Më vjen turp kur vijnë të huajt dhe shohin garazhet e Voltanës”, – tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se “rrugën e Velipojës e kemi premtuar me Bushatin dhe nuk mbaron, sepse Ademi nuk bashkëpunon për të bërë pjesën e vet, që ka të bëjë me dokumente dhe jo me pagesat e shpronësimeve”.

“Çfarë dokumentesh do të zbulohen në muzeun e paaftësisë dhe injorancës që është bërë bashkia e Shkodrës”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.