Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOTO/ Ura e Shën Prodhromit në Voskopojë i shtohet listës së monumenteve të shpëtuara

TIRANË, 20 qershor /ATSH/ – Restaurimi i urës së Shën Prodhromit, një prej veprave inxhinierike ndërtuar gati 300 vjet më parë, e cila shërbente si nyje lidhëse e Voskopojës me manastirin e Shën Prodhromit, i shtohet listës së monumenteve të shpëtuara. 

“Ura me dy harqe e Shën Prodhromit në Voskopojë, i shtohet listës së monumenteve të shpëtuara. Një punë intensive prej muajsh, që nga eliminimi i transportit të automjeteve, ndërhyrja tërësore në strukturën e monumentit e deri te rifiniturat më të imëta”, shprehet ministrja e Kulturës Elva Margariti.

”Kjo urë e shek. XVIII, përmes së cilës kalonin pelegrinët drejt Manastirit të Shën Prodhromit, është padyshim një tjetër atraksion për vizitorët! Kur të kaloni nga Voskopoja, ngjituni patjetër asaj ane!”, tha Margariti.

Ura 300-vjeçare e Shën Prodhromit është monument i kategorisë I në fshatin Voskopojë.

Ajo përbëhet nga dy harqe prej guri të skalitur mirë dhe është ndërtuar në të njëjtën periudhë me fshatin me 24 kisha dhe Akademi. Pjesa e sipërme e urës është kalldrëm.

Kjo urë me harqe vlerësohet e rrallë për sa i përket anës arkitektonike. Ajo është një prej urave më të vjetra në vend. /a.a/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version