Agjencia Telegrafike Shqiptare

Bashkia Elbasan prezanton performancën e buxhetit 2018

TIRANË, 20 qershor/ATSH-Miranda Sadiku/ – Në prani të përfaqësuesve të OJQ-ve, drejtorive të bashkisë, shoqërisë civile, si edhe këshilltarëve të këshillit bashkiak, është prezantuar raporti i performancës së buxhetit të kësaj bashkie për vitin 2018.

Nën moderimin e nënkryetares së bashkisë së Elbasanit, Vesa Liço, u bë i mundur prezantimit i raportit i cili vjen si një produkt i bashkisë së Elbasanit në bashkëpunim me Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim e implementuar nëpërmjet projektit “Bashki të forta”.

Vesa Liço nënkryetare e bashkisë së Elbasanit vlerësoi punën e deritanishme në hartimin e të këtij produkti, i cili përmbledh situatën financiare, të ardhurat, shpenzimet sipas programeve kryesore të ekzekutimit të buxhetit për vitin 2018, duke e konsideruar këtë dëgjesë publike një risi akoma me cilësore në formatin e paraqitjes, sepse e bën më të aksesueshëm, më konkret e më të kuptueshëm për çdo grup interesi.

I pranishëm ishte edhe menaxheri i projektit “Bashki të forta”, Jascues Merat, i cili përgëzoi hartuesit e këtij raporti, duke nënvizuar faktin se është një arritje e madhe e kësaj bashkie dhe se në bashkëpunim me projektin “Bashki të forta” ky raport është i arrirë duke rritur shkallën e transparencës në llogaridhënie.

Në mënyrë më të detajuar me shifra konkrete, prezantimin e raportit e ka bërë drejtori i përgjithshëm i planifikimit të të ardhurave në bashkinë e Elbasanit, Qemal Tusha, i cili është ndalur tek të gjitha fushat që bashkia Elbasan ka të drejta dhe detyrime.

Sipas tij “raporti bazohet në të dhëna të konsoliduara të buxhetit për bashkinë e Elbasanit gjatë vitit 2018 dhe është miratuar në këshillin bashkiak”.

Ajo që vlen për t’u theksuar ndër të tjera është fakti se bashkia e Elbasanit është vlerësuar nga pjesëmarrësit e projektit “Bashki të forta” të cilët nga ana e tyre kanë premtuar bashkëpunime. /k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version