7200 aplikime në portalin “Mësues për Shqipërinë”, nis faza e dytë e konkurrimit

TIRANË, 20 qershor/ATSH/ – Pas përfundimit të fazës së parë të konkurrimit të mësuesve në portalin dedikuar punësimit të tyre, 7200 aplikantë kanë dorëzuar dosjet e tyre pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka njoftuar shpalljen e pikëve të dosjeve të aplikimit për portalin “Mësues për Shqipërinë”, e cila konsiston me përmbylljen e fazës së parë të konkurrimit në portal.

Kërkesat për mësues kanë qenë relativisht te larta, teksa nënvizohet se kanë qenë mbi 7200 dosje aplikantësh të cilat janë dorëzuar nëpërmjet shërbimit postar pranë drejtorive rajonale të arsimit parauniversitar (Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë). Dosja për konkurrim përmban 20% të vlerës totale të pikëzimit. Ndërsa faza e dytë, ajo e testimit të informatizuar, përmban 80% të pikëve – fazë e cila do të zhvillohet në Qendrën e Shërbimeve Arsimore duke filluar nga data 10 korrik dhe sipas një kalendari i cili do të gjendet i publikuar në web-in e QSHA-së.

Një prej ankesave të ngritura nga sindikatat e arsimit për sa i përket këtij udhëzimi ka të bëjë me kriterin e pikëzimit për vjetërsinë e punës si mësues. Ky kriter është hequr pasi më parë shumë mësues të rinj dhe me nivel të lartë shkencor dis favorizoheshin nga vjetërsia e cila kishte shumë pikë në dosjen e mëparshme.

Gjatë vitit 2018-të, janë punësuar rreth 1700 mësues nga portali “Mësues për Shqipërinë”. Në 4 vite të zhvillimit të portalit janë punësuar 6104 mësues, shifër e cila është ne ndryshim te vazhdueshëm sepse punësime ndodhin gjatë gjithë vitit shkollor, të punësuar me kontratë të përhershme dhe përkohshme si mësues zëvendësues. Ndërsa nga 7200 aplikimet e këtij viti në portal, priten të punësohen rreth 1300-1400 mësues. /z.tosku/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.