Zero shanse për rikthimin e vizave

TIRANË, 19 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Ka zero shanse që të rikthehet regjimi i vizave për Shqipërinë“, – deklaroi sot në mbrëmje Kryeministri Edi Rama, i ftuar në një studio televizive.

“Votimi në parlamentin e Holandës u bë për politikë dhe loja me shqiptarët vazhdon falë edhe ndihmës që disa shqiptarë, pasardhës të Haxhi Qamilit iu japin, që të kenë dele të zeza për të sjellë vota”, – tha Rama.

Sa i takon çështjes së azilkërkuesve, Rama tha se “shqiptarët janë europianë që ju privohet e drejta për të qarkulluar lirisht në tregun e lirë të punës”. “Për këtë arsye duan azil, se duan punë. Kanë rënë në mënyrë drastike numrat në Gjermani, Holandë dhe vende të tjera, sepse është shtrënguar sistemi. Franca mban një sistem tjetër”, – tha Rama.

Kryeministri solli si shembull rastin e 100 mijë kroatëve që kanë kërkuar punë vjet në Gjermani.

“Arsyet janë të njëjta, por ata janë në BE dhe kanë mundësi ta bëjnë këtë gjë si pjesë e tregut të përbashkët të punës. Italia e Jugut është në zbrazje të vazhdueshme. Këto vende nuk rrezikojnë sanksione. Ne nuk rrezikojmë asnjë sanksion, sepse ka disa kritere që monitorohen nga Komisioni”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.