Këshilltarët e majtë: Kryetari i bashkisë së Beratit, po tjetërson 500 mijë metra katrorë pronë të banorëve

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ – Këshilltarët e majtë në Berat kanë akuzuar kryetarin e bashkisë, Petrit Sinaj për tjetërsimin e 500 mijë metra katrorë pronë të banorëve të qytetit.

Përmes një deklarate të përbashkët, këshilltarët e Partisë Socialiste thonë se Sinaj ka sjellë për votim në mbledhjen e këshillit bashkiak një dokument ku kërkohet të tjetërsohen mbi 500 mijë metra katrorë tokë bujqësore dhe kullotë të territorit të bashkisë në njësitë administrative Roshnik dhe Velabisht.

“Në mënyrë abuzive, duke shpërfaqur natyrën korruptive qeverisëse të këtyre 4 viteve, kryetari në ikje i bashkisë së Beratit ka sjellë për votim në mbledhjen e këshillit bashkiak një dokument ku kërkohet të tjetërsohen mbi 500 mijë metër katrorë tokë bujqësore dhe kullotë të territorit të bashkisë në njësitë administrative Roshnik dhe Velabisht. Edhe më flagrant është fakti që pjesë e këtij territori që kërkohet të zhvatet është edhe Mali Partizan, sheshet e të cilit përdoren edhe si hapësirë rekreative nga vetë qytetarët e Beratit. Skandali thellohet më tej kur përfituesit e kësaj prone kolosale, janë familjarë dhe njerëz të afërt me kryetarin e bashkisë, Petrit Sinaj”, – thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas tyre, PS dënon me forcë këtë akt thellësisht të paligjshëm.

“Kjo përpjekje e hapur për të vjedhur 500 mijë metra katrorë pronë të banorëve të Beratit, është arsyeja se përse forca politike që Petrit Sinaj përfaqëson, LSI-ja, së bashku me aleatin e saj Partinë Demokratike, kërkojnë të pengojnë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të vazhdojnë të rrinë në zyrë sa më gjatë për të vijuar grabitjet. Gllabërimi i pronës publike është arsyeja kryesore që këto forca politike duan të prishin zgjedhjet e 30 qershorit në Berat për të shtyrë mandatet e tyre në krye të bashkisë me çdo mjet, madje edhe me dhunë, për të vjedhur ç’të munden dhe pa hesap”, – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre. /z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.