Ish-ministrat e Jashtëm apel BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ – Katër ish-ministra të Punëve të Jashtme i janë drejtuar Bashkimit Europian me apelin për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në deklaratën e përbashkët të ish-ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, atij bullgar Daniel Mitov, atij qipriot, Jannakis Kasoulidis dhe grek, Nikolaos Kotzias, e cila u publikua sot në gazetat, Süddeutsche Zeitung, Ethnos, Panorama, Phileleftheros, theksohet se, “Komisioni Europian prezantoi komunikatën e tij për Politikën e Zgjerimit të BE-së për vitin 2019, me raportet shoqëruese të vendeve, më 29  maj të këtij viti. Komisioni Europian përsëriti rekomandimin drejtuar Këshillit për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, bazuar në progresin e kalendarin e miratuar në qershor 2018 nga vetë Këshilli”.

“Pavarësisht se është ndoshta politika me e suksesshme e transformimit të BE, asnjëherë me parë politika e zgjerimit nuk ka qenë subjekt i kaq shumë kundërshtive brenda vetë BE. Ne i bëjmë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mbështesin rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas 4 ish-ministrave, “procesi i anëtarësimit në BE rrit mundësitë për të përmirësuar demokracinë dhe zhvillimin socio-ekonomik, për të siguruar të drejtat e qytetarëve në këto vende. Përmes monitorimit dhe shqyrtimit të progresit të arritur, BE do të asistojë dhe do të veprojë si partner në këtë proces”.

“Rritja socio-ekonomike e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE do të kontribuojë vendosmërisht për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e një shteti demokratik, drejtësinë dhe lirinë e shprehjes në të dy këto vende”, theksohet në deklaratë.

“Nevoja për të filluar procesin e anëtarësimit për të dy vendet përkon me kërkesat e shoqërive të tyre, historisë së tyre dhe vetë rajonit. Ajo përkon, megjithatë, me nevojën e vetë Bashkimit Europian. Pranimi i tyre nuk do të thotë ti bësh nder dikujt, por është pasurim i vetë Projektit Europian”, vijon deklarata.

“Ne i bëjmë thirrje shteteve anëtare të BE, por kryesisht dy shteteve kryesore, Gjermanisë dhe Francës, të tregojnë përgjegjshmërinë e duhur për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe Europës dhe të përmbushin premtimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje të veprojnë me përgjegjshmërinë e duhur dhe të mos shtyjnë rrugën europiane për këto dy vende. Në këtë kontekst, duhet që Këshilli i Europian i qershorit, pa hezitim, të vendosë një datë për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, theksohet në deklaratë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.