Ulja e papunësisë mbështeti rritjen e konsumit me 3,2%

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ – Rritja e shitjeve me pakicë tregon një tendencë në përmirësim të konsumit privat, i mbështetur nga ulja e papunësisë, rritja e besimit konsumator dhe zgjerimi i kredisë për këtë qëllim.

Shitjet me pakicë në ekonominë shqiptare u rritën me 3,2% në tremujorin e parë të këtij vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018.

Instituti Statistikave, bën të ditur se, në tregtinë me pakicë, pa përfshirë këtu tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, indeksi i volumit të shitjeve ka pësuar një rritje prej 3,5 %, kundrejt të njëjtit tremujor të vitit të mëparshëm.

Kjo tregon se shitjet e karburanteve dhanë një efekt frenues te rritja e tregtisë me pakicë në ekonomi. Ndërkohë, ndikimin kryesor pozitiv e ka dhënë rritja e shitjeve për produktet joushqimore, me një rritje vjetore 3,8%.

Sipas INSTAT, në grupin “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, indeksi i volumit të shitjeve, është rritur 3,2%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018.

Në grupin “Tregti hidrokarburesh në njësi tregtare të specializuara“, indeksi i volumit të shitjeve është rritur 2,3%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2018.

Shitjet me pakicë janë ndër treguesit kryesorë të tërthortë të ecurisë së konsumit privat në ekonomi. Konsumi është shtylla kryesore e rritjes së ekonomisë shqiptare, me mbi 80% të kontributit total. Përmirësimi i këtij treguesi është premisë e perspektivës pozitive të ekonomisë së vendit. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.