Subashi: Në 30 qershor nisim punë akoma më të mëdha në çdo cep të Fierit

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ – Kandidati socialist për bashkinë e Fierit, njëkohësisht kryetari i kësaj bashkie, Armando Subashi, është takuar me banorë të fshatrave: Frakull, Kafaraj, Çerven.

“Ajo çfarë është bërë deri më sot në këtë zonë për shmangien e përmbytjeve, në infrastrukturën rrugore, arsimore e bujqësore, si dhe shërbimet publike të panjohura më parë prej banorëve, nuk është asgjë, krahasuar me atë që do të vazhdojmë të realizojmë në 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Subashi.

“Janë shumë, por disa do i përmend, kryesisht për ata banorë që nuk munda t’i takoja sot. Do të rikonstruktojmë rrugën Levan-Sheq, rrugën nga Ura në Kafaraj deri në Autostradë. Do të vazhdojmë të mirëmbajmë rrugët e brendshme të lagjeve të tre fshatrave, do të përmirësojmë rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm në Kafaraj dhe Çerven. Do të vazhdojmë me pastrimin e kanaleve kulluese e vaditëse, ndërtimin e urave dhe hapjen e rrugëve të parcelave në ndihmë të fermerëve”, ka theksuar Subashi.

Gjithashtu ai ka shtuar se “do të vazhdojmë me pastrimin e kanaleve anësorë të rrugëve në fshatra dhe kanalit që shkon në Klosë. Do të pastrojmë kanalet kulluese të katër parcelave në Çerven. Do të vazhdojmë me mirëmbajtjen e rrugëve të parcelave në ndihmë të fermerëve. Do të vazhdojmë punën për ndriçimin e fshatrave. Në bashkëpunim me OSHEE do të ndërhyjmë në rrjetin e furnizimit me energji elektrike në Çerven”.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.