SOFT NEWS – Elton John nderohet nga Franca me titullin Legjioni i Nderit

PARIS, 18 qershor /ATSH-AFP/ – Elizeja njoftoi sot se Emmanuel Macron do t’i dorëzojë të premten, dita që përkon me Festën e Muzikës në Francë, titullin Legjioni i Nderit këngëtarit britanik, Elton John, një nga artistët më të mëdhenj të muzikës pop-rock që nga vitet 70’.

Elton John do t’i jepet titulli vlerësues rreth orës 16:00 GMT, përpara fillimit të festës së muzikës në hollin e pallatit presidencial, ku do të interpretojnë grupet Brigitte, Iris Gold, Pongo dhe Saint Sister.

Këngëtari britanik është një virtuoz në piano, një gjeni i tingullit, një show-man i vërtetë. Ai është gjithashtu një nga artistët e parë gay që kanë patur kurajën të dalin hapur, i cili ka ngritur zërin e komunitetit LGBT në media.

Emmanuel Macron do t’a përgëzojë për nismat që ndërmerr në fushatat e bamirësisë dhe më konkretisht për sëmundjen e sidas.

Sir Elton, 72 vjeç do të jetë i pranishëm në Francë në kuadër të një turneu lamtumire tre vjeçar që ka nisur që në 2018, The Farewell Yellow Brick Road./ /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.