Reforma në Drejtësi me një magnitudë të paprecedent

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ “Reforma në Drejtësi në Shqipëri po ecën me një magnitudë të paprecedent”, deklaroi sot nga Luksemburgu, Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Johannes Hahn në daljen e posaçme për mediet pas mbledhjes së Këshillit Europian, ku nuk është marrë ende një vendim për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lidhur me reformat në Shqipëri, Hahn tha se pavarësisht situatës politike duhen theksuar reformat për të cilat Shqipëria mori një vlerësim pozitiv nga Komisioni Europian.

Ai veçoi Reformën në Drejtësi, e cila sipas tij, “po ecën me një magnitudë të paprecedent”.

“Ajo që kam shpjeguar vazhdimisht është se BE dhe KE në veçanti ka rol të veçantë për përgatitjen e negociatave për zgjerimin dhe ne kemi ndikimin më të madh sa u përket këtyre vendeve të Ballkanit. Padyshim, ju sot mund ta shikoni Shqipërinë dhe mund të shqetësoheni për krizën politike në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Por duhet të bëjmë një dallim çfarë është vendosur më herët mes Shqipërisë dhe BE, vendimit unanim të BE duke përcaktuar 5 prioritetet kyçe që janë zbatuar nga Shqipëria. Sidomos në çështjen e reformës në gjyqësor. Po zhvillon një Reformë në Drejtësi me magnitudë të paprecedent”, tha Hahn.

Për çeljen e negociatave, Hahn tha disa vende kanë kërkuar më shumë kohë për të shqyrtuar raportin e KE-së. “Disa vende duan më shumë kohë për të shqyrtuar raportin e KE-së, i cili jep vlerësimin pozitiv për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Holanda, Danimarka, Franca dhe Gjermania kanë kërkuar që çështja e zgjerimit të lidhet me zhvillimet në secilin vend dhe kanë kërkuar më shumë përpjekje nga ana e tyre”, – tha Hahn. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.