PS ka ardhur në pushtet me votat e 1 milion shqiptarëve

TIRANË, 18 qershor/ATSH-Maela Marini/ “Partia Socialiste ka ardhur në pushtet me votat e 1 milion shqiptarëve”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Elona Gjebrea, ndërsa përjashtoi mundësinë se votat mund të jenë vjedhur apo janë përdorur forma të paligjshme për marrjen e tyre.

E ftuar në një studio televizive, Gjebrea komentoi debatin e krijuar lidhur me përgjimet e publikuara nga “Bild”.

“Nëse ka pasur persona që kanë vjedhur votat ata do të marrin vendin e merituar nga prokuroria dhe gjykatat. Nuk është fenomen masiv, por përkundrazi, mund të ketë pasur tentativa nga partitë e opozitës. Gjithësesi është një fenomen që duhet dënuar”, – tha ajo.

Ndërkohë, sipas saj, ftesa e mazhorancës për opozitën është e qartë. “Hajde të punojmë së bashku për një reformë zgjedhore që do të minimizojë të gjitha tentativat për vjedhje votash. Nëse ky është fenomen, ashpërsimi i penaliteteve të caktuara ndihmon që ky fenomen të evitohet”, – tha Gjebrea.

Lidhur me rrezikun për heqjen e regjimit pa viza për shqiptarët, Gjebrea tha se “kjo nuk mund të ndodhë”. “Mjafton një votë kundër dhe kërkesa e Holandës nuk miratohet”, – tha ajo.

Gjebrea nënvizoi po ashtu edhe punën e mirë që është bërë nga qeveria e Shqipërisë për sensibilizimin e qytetarëve kundër kërkesave për azil. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.