Negociatat, vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do merret në grup në tetor

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ “Deri tani nuk është ndarë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe vendimi për këto vende do duhet të merret në grup”, – deklaroi sot nga Luksemburgu, Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Europian, Johannes Hahn.

Lidhur me diskutimet e ditëve të fundit për dhënien e vlerësimit lidhur me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Hahn u shpreh se “vendimi për këto dy vende do jepet në grup”.

“Deri tani nuk është ndarë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe vendimi për to do duhet të merret në grup. Të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet. Vendet anëtare e çmojnë Maqedoninë e Veriut. Ministri gjerman Roth tha se Bundestagu nuk ka pasur kohën e mjaftueshme për të vëzhguar progresraportet për këto vende. Institucionet duan pak më shumë kohë për negociatat si për Shqipërinë, dhe Maqedoninë e Veriut”, – tha Hahn.

Eurokomisioneri Johanes Hahn deklaroi se Shqipëria ka bërë progres, por koha për të marrë një vendim nuk ka qenë e mjaftueshme. Ai tha se është besimplotë se në tetor do arrijë të merret një vendim pozitiv.

“Ajo që kam shpjeguar vazhdimisht është se BE dhe KE në veçanti ka një rol të veçantë për përgatitjen e negociatave për zgjerimin dhe ne kemi ndikimin më të madh për këto vende të Ballkanit”, – tha Hahn. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.