Negociatat me Shqipërinë, Hahn: Situata e brendshme politike ndikoi, presim vendim në tetor

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, deklaroi sot nga Luksemburgu se “është për të ardhur keq që vendet anëtare nuk vendosën për të filluar sot negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Hahn doli në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Europian, ku u diskutua raporti i KE-së që rekomandon çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Padyshim ne nuk mund të injorojmë krizën e brendshme politike që ka pasur njëfarë ndikimi te vendet anëtare për vendimin e tyre ditën e sotme. Shpresojmë që deri në tetor do të ndryshojë mendimi i disa vendeve anëtare në lidhje me Shqipërinë. Duhet të shohim gjithmonë pjesën plot të gotës dhe jo pjesën bosh të saj”, – theksoi Komisionieri Hahn.

Hahn tha se “politika e zgjerimit funksionon vetëm nëse mbetet e bazuar mbi meritat dhe incentivat individuale të këtyre vendeve”. “Le të flasim qartë, ne rrezikojmë të mos kemi një proces të besueshëm. Zgjerimi është një investim strategjik për paqen për demokracinë dhe prosperitetin për sigurinë dhe stabilitetin në Europë. Është keqardhje që vendet anëtare nuk vendosën dhe pas verës besoj se të gjitha institucionet do të jenë në gjendje të ekzaminojnë vlerësimet dhe rekomandimet tona për të bërë vlerësimin e plotë”, – tha Hahn.

Sipas tij, “sot u konfirmua nga Bashkimi Europian se ai është i gatshëm t’i ofrojë perspektivën europiane Ballkanit Perëndimor si një çështje strategjike”. Shpresojmë që këto gjashtë vende të integrohen shpejt dhe kjo pavarësisht disa vendeve që nuk janë ende në gjendje të mbështesin propozimin e Komisionit për të filluar sot negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, – deklaroi Hahn.

Hahn tha se “Komisioni beson fort se Bashkimi Europian duhet të vlerësojë ata që kanë arritur rezultate për të gjitha kushtet e vëna në Luksemburg pothuajse një vit më parë”.

“Besueshmëria jonë është në lojë. Ne eksportojmë stabilitet ose do të importojmë destabilitet. Mbi të gjitha është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku me këto vende për të përmirësuar nivelin e jetesës të njerëzve të këtyre vendeve”, – deklaroi ai. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.