Negociatat, Bushati: Rruga mbetet e hapur për tetor 2019

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ “Rruga mbetet e hapur për tetor 2019 dhe Shqipëria është e angazhuar ndaj reformave të lidhura me Bashkimin Europian”, deklaroi deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, duke komentuar vendimin e sotëm të Këshillit Europian për negociatat me Shqipërinë.

Bushati tha se “është për të ardhur keq që vendet anëtare të BE-së nuk iu përmbajtën konkluzioneve të arritura në qershor 2018, të cilat përcaktojnë rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019”.

Këshilli Europian vlerësoi sot rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, bazuar mbi vlerësimin e tij pozitiv për progresin e arritur dhe përmbushjen e kushteve të vëna nga Këshilli.

Nisur nga koha e kufizuar dhe rëndësia e kësaj çështjeje, Këshilli deklaroi se do t’i rikthehet kësaj teme, me qëllim marrjen e një vendimi të qartë dhe thelbësor sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo, jo më vonë se tetori i vitit 2019. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.