Memaj: Koha për bashkinë e gjeneratës tjetër në Urën Vajgurore

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ – Në katër vite, sfidë ka qenë rritja e cilësisë së shërbimit, por tani ka ardhur koha për bashkinë e së ardhmes, bashkinë e gjeneratës tjetër.

Kështu deklaroi në një intervistë për “ERTV”, kryetarja e bashkisë Ura Vajgurore, Juliana Memaj, e cila kërkon nga qytetarët një mandat të dytë për të vijuar me projektet që sipas saj, nxitën zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.

“Prioritetet tona kanë qenë të fokusuara te rritja e qëndrueshme, zhvillimi i qëndrueshëm i bashkisë Ura Vajgurore. Qëllimi ynë ka qenë që investimet të shpërndahen në çdo cep të këtij territori, duke shkuar edhe në fshatin më të largët që në çdo lagje të ndërhyhet. Është ndërhyrë në 17 shkolla nga 21 që ka bashkia në total, duke rikonstruktuar plotësisht 9 prej tyre dhe rikonstruksion të pjesshëm te 8 prej tyre. Janë ndërtuar 10 kopshte të reja me standarde”, – tha Memaj.

Mema theksoi se “kemi ndërhyrë edhe në rrjetin rrugor për të lidhur qendrat e fshatrave me rrugët nacionale”.

“Sot kemi 80% të këtij rrjeti të përfunduar. Po ashtu ka përfunduar sistemim asfaltimi në 11 fshatra. Më në fund Ura Vajgurore ka ujë të pijshëm cilësor duke u furnizuar nga burimi i Poshnjës pasi ka përfunduar faza e parë e investimit që lidh burimin me furnizimin, ndërsa kemi në proces tenderimi investimin për rrjetin e brendshëm. Ne kemi hapur kanalet kulluese dhe kemi shtrirë rrjetin e kanaleve vaditëse me gati 137 mijë metra linearë në total”.

Memaj deklaroi se bashkia Ura Vajgurore ka sot një sistem dixhital të informacionit të shërbimeve publike.

“Ne kemi miratuar në këshill bashkiak një studim fizibiliteti për platformën online “Farm and Market”, e cila do t’i vijë në ndihmë fermerit për të zgjidhur problematikat, duke rritur zinxhirin ekonomik dhe shmangur abuzimet me çmimet në treg”, – shtoi ajo.

Pas 30 vitesh në bashkinë Ura Vajgurore ka një qendër shumëfunksionale për personat me aftësi të kufizuara, ku do të marrin shërbim 830 persona me aftësi të kufizuara të zonës, me psikologe apo logoterapiste për fëmijët, apo asistencë për gratë e dhunuara.

Memaj gjithashtu argumentoi dhe arsyet se përse qytetarët e Urës Vajgurore duhet t’i besojnë asaj votën në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

“Tashmë do duhet të ndërtojmë bashkinë e së ardhmes dhe vizioni im për mandatin e dytë lidhet me amplifikimin e identitetit të bashkisë duke e parë si portë hyrëse drejt Beratit, që turistët ta konsiderojnë një pikë të bukur ndalëse para se të shkojnë në Berat. Kemi një projekt për fazën e dytë të mbrojtjes lumore që do të vazhdojë, po ashtu ndërtimi i dy urave që do të jenë brand i qytetit tonë për ta bërë atraktiv. Në fokus do të kemi edhe zhvillimin e artit dhe të kulturës me një projekt për vënien në punë të teatrit bashkëkohor”, – përfundoi kandidatja e PS. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.